Ndërlidhjet

Merkel viziton Ganën, teksa migrimi vazhdon të mbetet shqetësim në BE


Kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka arritur të enjten në Ganë, në kuadër të vizitës së saj në Afrikën Perëndimore, me qëllim të rritjes së investimeve në rajonin prej nga nisen shumë migrantë drejt Evropës, transmeton AP.

“Unë thellësisht besoj se mund të ketë Bashkim Evropian të suksesshëm, vetëm nëse përballemi me çështjen e migrimit dhe partneritetit me Afrikën”, ka thënë liderja e ekonomisë më të madhe në Evropë, pas takimit me presidentin e Ganës, Nana Akufo-Addo.

Merkel është duke udhëtuar me dhjetëra menaxherë gjermanë, me synim të promovimit të lidhjeve biznesore.

Liderja gjermane është ndaluar fillimisht në Senegal, një nga ekonomitë që po rriten më së shpejti në Afrikë dhe më pas do të vazhdojë vizitën e saj në Nigeri.

Arritjet e migrantëve nga Afrika dhe Turqia në Evropë përmes Detit Mesdhe, aktualisht është në shifra tejet të ulëta krahasuar me pesë vjetët e fundit, mirëpo çështja vazhdon të jetë e ndjeshme.

Merkel, e cila pati refuzuar mbylljen e kufijve të Gjermanisë gjatë krizës së migrantëve më 2015, ka ashpërsuar qasjen e saj, në tentim për të shpëtuar Qeverinë e saj, si pasojë e diskutimeve për këtë temë.

Disa qarqe në Evropë shpresojnë se të investuarit në Afrikën Perëndimore do të inkurajojë njerëzit të qëndrojnë në rajonin që aktualisht përballet me papunësi dhe rritje të ekstremizmit.

Presidenti i Ganës ka theksuar se migranët që janë ilegalisht në Gjermani do të dëshironin të qëndronin aty, nëse do të kishin mundësi.

Teksa një gjë e tillë varet nga vendimet e Qeverisë Gjermane ai ka thënë se “ne duhet të zgjidhim çështjen e migrantëve ilegalë së bashku.

Akufo-Addo po ashtu ka përmendur investimet, duke thënë se “sa më të fuqishëm që jemi, është më mirë për të rinjtë tanë të qëndrojnë këtu”.

Një numër i liderëve botërorë, duke përfshirë presidentin francez, Emmanuel Macron, presidentin kinez, Xi Jinping dhe kryeministren britanike, Theresa May kanë vizituar Afrikën Perëndimore në muajt e fundit, për të diskutuar çështje biznesore, të sigurisë dhe migrimit.

XS
SM
MD
LG