Ndërlidhjet

Matiq: Të verifikohet ekzistenca e mundshme e varrit masiv te Medvegja


Veran Matiq

Përfaqësuesi i posaçëm i presidentit të Serbisë për çështjen e të zhdukurve, Veran Matiq, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se autoritetet përgjegjëse duhet t'i përgjigjen urgjentisht thirrjes së Komisionit rajonal për konfirmimin e fakteve për krime lufte (REKOM) dhe të verifikojnë ekzistencën e mundshme të një varreze masive në territorin e Komunës së Medvegjës, rreth 300 kilometra në jug të Beogradit.

REKOM njoftoi se ka marrë informacione se në fshatin Medevce, në vitin 2001, gjatë ndërtimit të një objekti për nevojat e policisë, janë çgroposur katër trupa dhe se policia i ka varrosur sërish dhe se ka ndërprerë gërmimin e mëtejshëm.

"Në raste të tilla, kur shfaqet informacioni, ai duhet të jetë prioritet. Kur keni informacion të caktuar për një vend dhe, për ndonjë arsye, e zvarrisni ekshumimin e trupave, ju bëni një të keqe të re", tha Matiq.

Edhe pse sipas REKOM-it bëhet fjalë për një vend ku është ndërtuar një objekt për nevojat e policisë, Matiq tha se "shumë lehtë mund të identifikohet se kush ka qenë përgjegjës në atë kohë për atë territor dhe atë hapësirë".

Të enjten, në gjithë botën është shënuar Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve. Kjo ditë e ka gjetur Koosvën me mbi 1,600 persona të zhdukur nga lufta e fundit.

XS
SM
MD
LG