Ndërlidhjet

Mikrovalët dyshohet se sëmurën diplomatët amerikanë


Ambasada e SHBA-së në Havanë të Kubës.

Mjekët dhe shkencëtarët dyshojnë gjithnjë e më shumë se mikrovalët kanë qenë shkak i zhurmave dhe sëmundjeve të pashpjegueshme që kanë vuajtur diplomatët amerikanë dhe familjet e tyre, gjatë vitit të kaluar, në Kubë dhe në Kinë, raportoi gazeta New York Times.

Dhjetëra njerëz kanë raportuar se kanë dëgjuar tinguj të fuqishëm në shtëpitë e tyre ose dhomat e hotelit, që janë pasuar me dhimbje të rënda koke, marramendje, probleme me gjumin dhe humbje të dëgjimit.

Një studim mjekësor i 21 viktimave në Kubë, i publikuar në mars, nuk i ka përmendur mikrovalët si shkak, por autori i tij i tha gazetës New York Times më 1 shtator se mikrovalët po konsiderohen tani si arma kryesore e dyshuar.

"Të gjithë kanë qenë skeptikë në fillim, por të gjithë pajtohen tani se ka diçka këtu", tha Douglas Smith, drejtor i Qendrës për Lëndime dhe Riparime në Tru, pranë Universitetit të Pensilvanisë.

As Departamenti amerikan i Shtetit, as FBI-ja nuk i kanë fajësuar publikisht mikrovalët për sëmundjet.

Gazeta New York Times tha se është ende mister se kush mund t'i ketë kryer sulmet me mikrovalë dhe përse.

Spekulimet e shkencëtarëve janë përqendruar në mundësinë se disidentët pro-rusë në Kubë mund t'i kenë përdorur mikrovalët, në përpjekje për të penguar ngrohjen e marrëdhënieve midis Uashingtonit dhe Havanës, e cila ka nisur në fund të mandatit të ish-presidentit amerikan, Barack Obama.

XS
SM
MD
LG