Ndërlidhjet

Google heq një reklamë të Navalnyt pas ankesave të Qeverisë ruse


Opozitari rus, Aleksei Navalny. Foto nga arkivi.
Opozitari rus, Aleksei Navalny. Foto nga arkivi.

Gjiganti i internetit, Google, ka hequr një reklamë të paguar nga mbështetësit e opozitarit rus, Aleksei Navalny, që u bënte thirrje rusëve që të marrin pjesë në protestën e thirrur për 9 shtator, përmes llogarisë së Navalnyt në YouTube.

Leonik Volkov, një këshilltar i lartë i Navalnyt, ka postuar në rrjetin social Telegram më 8 shtator se Google ka “përmbushur një kërkesë të paligjshme të autoriteteve ruse”, për të hequr reklamën.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Rusisë më herët i kishte dërguar një kërkesë kompanisë Google, që të heqë reklamën, duke thënë se ajo shkelë ligjet zgjedhore. Rusia do të mbajë zgjedhjet rajonale dhe lokale më 9 shtator.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Shërbimi Federal anti-monopol kanë dërguar një kërkesë të ngjashme në Google,

Navalny ka thirrur protesta mbarë kombëtare më 9 shtator, kundër një propozimi për rritjen e moshës së pensionimit.

Fondacioni anti-korrupsion i Navalnyt ka thënë se thirrjet për protestë për këtë propozim qeveritar, nuk kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe se reklama e hequr nuk ka pasur thirrje apo slogane që lidhen me zgjedhjet.

XS
SM
MD
LG