Ndërlidhjet

Shefja e re e të drejtave e OKB-së shpreh shqetësim për abuzimet në botë


Shefja e re e të drejtave të njeriut e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet.
Shefja e re e të drejtave të njeriut e Kombeve të Bashkuara, Michelle Bachelet.

Shefja e re e të drejtave të njeriut e Kombeve të Bashkuara paralajmëroi për abuzime në gjithë botën, duke shprehur shqetësim të veçantë për zhvillimet në Kinë, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.

Në fjalimin e parë para Këshillit për të Drejta të Njeriut të OKB-së në Gjenevë, Michelle Bachelet, ish-presidente e Kilit, e cila vetë ka qenë e burgosur politikisht, i bëri thirrje Kinës t'i lejojë monitoruesit në këtë vend, pas akuzave "thellësisht shqetësuese" për numër të madh kampesh në të cilat mbahen ujgurë dhe pakica të tjera në provicën Ksinjang.

Një muaj më parë, organizata për të drejta të njeriut Human Rights Watch prezantoi dëshmi të, siç tha, "paraburgimeve, torturave, keqtrajtimeve arbitrare dhe kontrolleve gjithnjë e më të përhapura në jetën e përditshme" nga autoritetet në Ksinjang.

Bachelet po ashtu tha se është e alarmuar nga dhuna anti-migrante në Gjermani dhe shtoi se do të dërgojë ekipe në Austri dhe Itali për mbrojtjen e migrantëve në këto vende.

Duke u ndalur te SHBA-ja, Bachelet tha se ndarja e familjeve migrante nga autoritetet është "e pandërgjegjshme" dhe shprehu shqetësim për rreth 500 fëmijë migrantë që janë marrë nga prindërit e tyre dhe nuk janë ribashkuar ende me ta.

Bachelet shprehu shqetësim edhe për "operacionet e vazhdueshme ushtarake" në provincën Idlib të Sirisë, duke vënë theksin mbi, siç tha, "vuajtjet e pafundme dhe të tmerrshme" të popullit sirian.

XS
SM
MD
LG