Ndërlidhjet

Trump pritet të sanksionojë ndërhyrjen e huaj në zgjedhjet amerikane


Presidenti amerikan, Donald Trump.

Raportimet në media kanë bërë të ditur se presidenti amerikan, Donald Trump është duke planifikuar një urdhër të ri ekzekutiv me qëllim të ndalimit të subjekteve të huaja apo individëve që tentojnë apo janë gjetur se kanë ndërhyrë në zgjedhjet amerikane.

Agjencia e lajmeve Reuters dhe Wall Street Journal kanë thënë se urdhri mund të bëhet i ditur më 12 shtator.

Një zyrtar anonim, i ka thënë Reutersit se sanksionet do të shënjestrojnë persona apo kompani të tëra që janë akuzuar për ndërhyrje në zgjedhje, përmes hakimit apo mënyrave tjera.

Kjo përbën një tjetër masë të administratës Trump në këtë çështje, e përcjellur nga përfundimet e agjencive amerikane të Inteligjencës, të cilat kanë dokumentuar fushatë propaganduese të kryer nga Rusia për të ndërhyrë në procesin zgjedhor të vitit 2016.

Agjencitë ushtarake dhe ato për sundim të ligjit, kanë paralajmëruar se zgjedhjet për Kongres më 6 nëntor, mund të jenë cak i ndërhyrjes po ashtu.

Ende nuk është bërë e qartë nëse Rusia do të përfshihet në sanksionet e reja.

The New York Times ka thënë se urdhri i ri fokusohet në ndërhyrje të huaj, mirëpo synon t’iu japë autoriteteve amerikane një tjetër mjet për të ndëshkuar subjekte ruse, për të cilat agjencitë amerikane, besojnë se mund të jenë duke tentuar për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të përcaktojnë kontrollimin e Kongresit.

Trump vazhdimisht ka qenë i rezervuar për të gjeturat e Inteligjencës amerikane rreth ndërhyrjes së Rusisë, pavarësisht se Kongresi ka vënë masa të rrepta kundër këtij vendi dhe subjekteve tjera.

Përveç tjerash, Trump ka kritikuar dhe hetimet e Këshilltarit Special, Robert Mueller lidhur me çështjen ruse.

XS
SM
MD
LG