Ndërlidhjet

Moon: Kimi kërkon mbajtjen e një samiti të ri me Trumpin


Presidenti i Koresë Jugore, Moon Jae-in.

Lideri verikorean, Kim Jong Un dëshiron që shumë shpejt të kompletohet procesi i denuklearizimit, si dhe të takohet me presidentin amerikan, Donald Trump për të përshpejtuar këtë proces, ka thënë presidenti i Koresë Jugore, Moon Jae-in, të enjten, pas takimit me Kimin këtë javë, transmeton Reuters.

“Kim Jong Un ka shprehur dëshirën e tij se kërkon denuklearizim të plotë si dhe fokusim në zhvillimin ekonomik”, ka thënë Moon në një konferencë për media në Seul, pasi është kthyer nga kryeqyteti i Koresë Veriore, Phenjani.

“Ai ka thënë se shpreson që Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo të vizitojë në periudhë të shkurtër Korenë Veriore, por edhe për mbajtjen e një samiti të dytë me Trumpin, në mënyrë që procesi i denuklearizimit që fillojë shumë shpejt”, ka thënë Moon.

Presidentët e dy Koreve kanë zhvilluar një samit të tretë më herët gjatë kësaj jave në Phenjan me ç’rast janë zotuar se do ta kthejnë Gadishullin Korean në tokë të paqes.

Bisedimet mes Koresë Veriore dhe Shteteve të Bashkuara për procesin e denuklearizimit kanë ngecur, pavarësisht se ky proces është i domosdoshëm në mënyrë që verikorenëve t’iu hiqen sanksionet e ashpra që ka vënë SHBA-ja kundër shtetit të tyre.

XS
SM
MD
LG