Ndërlidhjet

Pompeo denoncon trajtimin e ujgurëve dhe të krishterëve në Kinë


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. Foto nga arkivi.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. Foto nga arkivi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka denoncuar “abuzimet e tmerrshme” të myslimanëve ujgurë që gjenden të ndaluar në kampet kineze të riedukimit dhe ka kritikuar atë që ai e cilësoi si goditje qeveritare ndaj të krishterëve në Kinë.

Këto komente të sekretarit Pompeo të bëra më 21 shtator vijnë pas një publikimi të Kombeve të Bashkuara ku është kritikuar internimi masiv i ujgurëve në Kinë, nën pretekstin e parandalimit të ekstremizmit në rajonin perëndimor Xinjiang.

“Qindra mijëra dhe ndoshta miliona ujgurë mbahen kundër vullnetit të tyre në të ashtuquajturat kampe të riedukimit, ku ata janë të detyruar të durojnë indoktrinimin e ashpër politik dhe abuzime të tjera të tmerrshme”, u shpreh Pompeo gjatë një fjalimi mbi liritë fetare.

Anëtarët republikanë dhe demokratë të Kongresit amerikan, muajin e kaluar kanë bërë thirrje për sanksione mbi zyrtarët kinezë, për shkak të internimit të kësaj pakice.

Megjithatë, sekretari Pompeo nuk ka thënë nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione.

Më 10 shtator, Human Rights Watch tha se Kina po kryhen “fushatë masive dhe sistematike të shkeljeve të të drejtave të njeriut” kundër minoritetit mysliman të ujgurëve.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze tha se HRW ka “plot paragjykime” ndaj Kinës dhe ka shtrembëruar faktet e paraqitura në raportin e tyre.

Në fjalimin e tij, sekretari Pompeo po ashtu ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me fatin e të krishterëve që jetojnë në Kinë, që sipas tij, janë subjekt i shtypjes së Qeverisë.

Ai ka thënë se Pekini ka “mbyllur kisha, ka djegur bibla dhe ka urdhëruar besimtarët që të nënshkruajnë dokumente ku thonë se heqin dorë nga besimi i tyre”.

XS
SM
MD
LG