Ndërlidhjet

Trump takon kryeministrin japonez para mbledhjes vjetore në OKB


Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka arritur në Nju Jork, para nisjes së takimeve të lidhura me mbledhjen vjetore në Kombet e Bashkuara.

Trump ka nisur aktivitetin e tij në orët e vona të 23 shtatorit, duke takuar kryeministrin japonez, Shinzo Abe më të cilin është thënë të ketë diskutuar çështje të mbrojtjes dhe ato tregtare.

Pas takimit mes dy liderëve në Kullën Trump, Abe u ka thënë gazetarëve se ata kanë diskutuar për Korenë Veriore dhe tregtinë ndërkombëtare “në një atmosferë të ngrohtë si zakonisht”.

Ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Nikki Halay ka thënë më 20 shtator, se Trump do të flasë për Iranin, rastin Skripal në Britani të Madhe, armët kimike dhe Korenë Veriore gjatë adresimit të tij këtë javë.

Trump do të mbajë një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme para liderëve të 193 shteteve anëtare më 25 shtator, derisa një ditë më vonë do të drejtojë takimin në Këshillin e Sigurimit duke u fokusuar në Iran si dhe sulmet me armë kimikë në Siri dhe Britani.

Ai ka planifikuar një varg takimesh bilaterale me aleatët e tij siç janë, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministrja britanike, Theresa May dhe homologu i tij jugkorean, Moon Jae-in.

Presidenti jugkorean pritet ta njoftojë Trumpin për takimin e tij të fundit që ka pasur me liderin verikorean, Kim Jong Un më 20 shtator.

Moon ka thënë se Kim ka pranuar ftesën për të shënuar një vizitë historike në Seul brenda këtij viti.

XS
SM
MD
LG