Ndërlidhjet

Hitchner: Ndryshimi i kufijve, një parim i keq dhe me pasoja


Bruce Hitchner

Bisedimet për ndryshime të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë një parim i keq dhe se ato hapin mundësinë që çështjet brenda Kosovës të mos zgjidhen, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, Bruce Hitchner , profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin amerikan "Tufts".

“Mendoj se është një parim i keq. Mendoj se asnjë prej këtyre pyetjeve (problemeve në rajon) nuk do të zgjidhet me ndryshime të kufijve. Para së gjithash, kjo hapë mundësinë që të mos zgjidhë as situatën brenda Kosovës. Së dyti, mundet që në mënyrë potenciale të destabilizojë Serbinë e cila ka grupe tjera etnike në territorin e saj dhe të cilat papritmas mund të vendosin që kanë interes më të madh në çështjet territoriale. Kjo nuk ndihmon as situatës në Bosnje Hercegovinë” ka thënë Hitchner.

Sipas tij, ky është një kthim prapa në politikën e bashkësisë ndërkombëtare për kundërshtimin e ndarjeve dhe se kjo vetëm do ta konfirmonte një mënyrë të re të spastrimit etnik.

“Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një qëndrim të kujdesshëm në këtë çështje, do të shikojnë me kujdes se çfarë përfundime do të dalin nga këto bisedime, edhe pse unë mendoj se në fund të ditës nuk do të ketë asgjë prej kësaj. Megjithatë, SHBA-të janë të gatshme të shikojnë në këtë mundësi duke i mbajtur dyert e hapura. E kuptoj këtë parim në një mënyrë, por gjithashtu mendoj se nuk mund të përqëndrohesh thjeshtë në gjetjen e diçkaje që duket si zgjidhje pragmatike, pasojat e mundshme të së cilës janë shumë më të mëdha” ka deklaruar në këtë intervistë, profesori Hitchner.

Ai mendon se zgjidhja për Kosovën dhe Serbinë kurrë nuk do të mund të vendoset përmes asaj se kush kontrollon cilën pjesë të territorit përmes kufijve.

XS
SM
MD
LG