Ndërlidhjet

Veseli fton qytetarët e Maqedonisë të dalin në referendum


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli u ka bërë thirrje qytetarëve të Maqedonisë që të dielën, më 30 shtator, të dalin dhe të votojnë në referendumin për Marrëveshjen me Greqinë.

Pas takimit në Shkup me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, kryeparlamentari i Kosovës tha se do të respektojë çdo vendim që do të marrë populli maqedonas dhe se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë në të gjitha sferat.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Maqedonisë që me 30 shtator të dalin në mënyrë masive që të votojnë 'për' në referendum, që të hapet rruga për integrimin euroatlantik.

“Shteti ynë e respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Maqedonisë dhe vullnetin e qytetarëve të Maqedonisë për marrëveshjen e emrit. Cilido që të jetë vendimi, ne do ta respektojmë. Arsyeja se pse ne i japim mbështetje referendumit ka të bëjë me qëllimin tonë që shtetet të përparojnë në rrugën e integrimit në BE”, ka deklaruar Veseli.

Edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi bëri thirrje për dalje në referendum, ku do të vendoset për të ardhmen e vendit dhe perspektivën e qytetarëve.

“Kemi diskutuar për bashkëpunimin dypalësh mes dy vendeve, me qëllim që të sigurohet stabiliteti në të dyja shtetet. Pata mundësinë që në takim ta informoj Kadri Veselin, për përgatitjet për referendumin e 30 shtatorit. Mbështetja e tij ishte e plotë për marrëveshjen me Greqinë”, tha Xhaferi.

Duke folur për dialogun me Serbinë, Veseli tha se ka përparim dhe se marrëveshja eventuale nuk do të cenojë asnjë shtet ndërsa bëri thirrje që të mos manipulohet me ndjenjat e qytetarëve.

“Nuk do lejojmë asnjë precedent negativ me marrëveshjen me Serbinë. Gjithmonë është më lehtë të jesh joracional sesa të manipulohet me emocionet e qytetarëve. Kosova ka gatishmërinë të respektojë çdo marrëveshje me Serbinë në mënyrë që të arrihet një marrëveshje paqësore që është e rëndësishme për Ballkanin”, ka deklaruar Veseli.

XS
SM
MD
LG