Ndërlidhjet

U ulet dënimi të dënuarve në rastin “Izraeli”


Pamje nga një seancë gjyqësore për rastin e njohur si "Izraeli".

Të gjithë të dënuarve në rastin e njohur si "Izraeli" u janë ulur dënimet për nga një vit nga Gjykata e Apelit në Prishtinë.

Në maj të këtij viti ata u shpallën fajtorë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, pasi në vitin 2016 kanë planifikuar të sulmojnë përfaqësuesen në futboll të Izraelit, në Shqipëri.

Visar Ibishi u dënua me 10 vjet burgim, Lulzim Gashi me 6 vjet, Burim Istrefi me 3 vjet, Leotrim Vojvoda dhe Flamur Gashi me nga 5 vjet, Kenan Plakaj dhe Arton Ahmeti me nga 1 vit e gjysmë, Leotrim Musliu me 3 vjet e gjysmë dhe Besart Peci me 2,500 euro.

Gjykata ka thënë se disa nga të dënuarit kanë pasur lidhje me Lavdrim Muhaxherin, ish-udhëheqësin e shqiptarëve në grupin e ashtuquajtur Shteti Islamik dhe se nga ai kanë marrë udhëzime për të sulmuar lojtarët dhe tifozët e Izraelit.

Familjarët dhe Policia e Kosovës kanë thënë se Muhaxheri është vrarë në vitin 2017 nga një sulm ajror.

Kombëtarja e Izraelit dhe ajo e Shqipërisë kanë pasur në orar ndeshjen kualifikuese për Kampionatin Botëror në Futboll "Rusia 2018", e cila është zhvilluar në qytetin e Shkodrës.

Policia fillimisht ka arrestuar 19 persona, por vetëm ndaj nëntë prej tyre është ngritur aktakuzë.

Të pandehurit është thënë se planifikonin të përdornin eksplozivë dhe armë të tipit kallashnikov.

XS
SM
MD
LG