Ndërlidhjet

Dy Koretë nisin largimin e minave afër kufirit


Pamje afër zonës Panmunxhom, Kore Jugore.
Pamje afër zonës Panmunxhom, Kore Jugore.

Trupa nga Koreja Veriore dhe ajo Jugore kanë filluar largimin e disa minave tokësore nga kufiri i tyre tejet i fortifikuar, ka njoftuar të hënën ministria jugkoreane e Mbrojtjes, në kuadër të paktit për të zvogëluar tensionet, si dhe për rritjen e besimit në gadishullin e ndarë, transmeton Reuters.

Detajet e këtij projekti janë diskutuar në samitin e muajit të kaluar në Phenjan në mes të liderit të Koresë Veriore, Kim Jong Un dhe homologut të tij jugkorean, Moon Jae-in.

Në një deklaratë, ministria ka thënë se të dyja palët janë pajtuar për largimin e të gjitha minave tokësore brenda 20 ditëve, në të ashtuquajturën Zonë e Përbashkët e Sigurisë në Panmunxhom.

Deri më tani nuk ka pasur ndonjë konfirmim nga ana e verikoreanëve rreth asaj nëse kanë nisur këtë proces.

Në kuadër të marrëveshjes është përfshirë edhe largimi i armëve dhe rojeve të armatosura nga kjo Zonë, duke planifikuar mbajtjen e vetëm disa trupave të paarmatosur.

Në samitin e mbajtur në muajin prill, të dyja Koretë kanë njoftuar për synimet e tyre të kthimit të kësaj Zone, të njohur si simbol i tensioneve dhe ndarjeve, në një “zonë paqësore”.

Të dyja palët kanë larguar po ashtu edhe programet e propagandës, të cilat janë transmetuar me zë të lartë në kufi.

Përveç tjerash, ministria jugkoreane ka njoftuar se proceset e identifikimit dhe largimit të minave do të nisin të hënën edhe në lindje të Koresë Jugore, në mënyrë që më pas të nisin kërkimet për ushtarët e vrarë në Luftën Koreane të viteve 1950-1953.

XS
SM
MD
LG