Ndërlidhjet

Erdogan shpreson në përmirësimin e marrëdhënieve me SHBA-në


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha të hënën se vendi i tij shpreson t'i përmirësojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, pas tensioneve që ka shkaktuar burgosja e një pastori amerikan.

"Me vullnetin e Zotit, shpresojmë t'i zgjidhim problemet me Amerikën brenda një kohe të shkurtër dhe t'i rizhvillojmë marrëdhëniet në fushat politike dhe ekonomike, me frymën e partneritetit strategjik", tha Erdogan në një fjalim para Parlamentit turk.

Mosmarrëveshja midis dy vendeve ka të bëjë me pastorin Andrew Brunson, i cili është arrestuar nga autoritetet turke qysh në vitin 2016, nën akuzat për terrorizëm.

Mosmarrëvshja ka shkaktuar edhe rënie të lirës turke.

Presdenti amerikan, Donald Trump, ka dyfishuar tarifat mbi importin e aluminit dhe çelikut turk, për shkak të, siç ka thënë, mbajtjes së Brunsonit në paraburgim, dhe Ankaraja është përgjigjur në të njëjtën mënyrë.

"Jemi të vendosur të luftojmë - brenda kufijve të diplomacisë dhe ligjit - kundër kësaj qasjeje të shtrembëruar, që imponon sanksione mbi vendin tonë, duke përdorur si pretekst një prift, i cili është në gjyq për marrëdhëniet e tij të mjegullta me grupet terroriste", tha Erdogan.

Ai tha se Uashingtoni "po përpiqet t'i zgjidhë problemet politike dhe ligjore përmes kërcënimeve e shantazhit dhe jo dialogut".

"Kjo, në fakt, do t'ia shkaktojë dëmin më të madh SHBA-së, në afat të mesëm dhe të gjatë", tha Erdogan.

Për shkak të Brunsonit, SHBA i ka vënë sanksione ministrit turk të Drejtësisë, Abdulhamit Gul, dhe ministrit të Brendshëm, Suleyman Soylu.

Brunson, i cili ka jetuar në Turqi për një çerek shekulli, drejton një kishë të vogël evangjeliste protestante në qytetin perëndimor të Izmirit. Ai është aktualisht nën arrest shtëpiak.

XS
SM
MD
LG