Ndërlidhjet

Rriten tensionet në Indi pas deportimit të myslimanëve Rohingya


Një mysliman Rohingya, ilustrim.

India ka deportuar shtatë myslimanë Rohingya në Mianmar, pavarësisht kërkesave të minutës së fundit, se një gjë e tillë përbën rrezik për ata.

Burrat ishin ndaluar nga viti 2012 për shkak të shkeljeve të lidhura me imigrim. Më herët gjatë ditës, Gjykata Supreme ka refuzuar që të ndalojë deportimin e tyre.

Të paktën 700,000 myslimanë Rohingya kanë ikur në shtetin fqinj, Bangladesh për t’i ikur dhunës që ka shpërthyer në Mianmar vitin e kaluar.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë akuzuar ushtrinë e Mianmarit për spastrim etnik, derisa ushtria e këtij shteti ka thënë se ka qenë duke luftuar kryengritësit.

Myslimanët Rohingya, janë pjesëtarë të vetëm një prej minoriteteve etnike në Mianmar, të cilët Qeveria i sheh si imigrantë ilegalë nga Bangladeshi dhe u mohon shtetësinë.

Të shtatë burrat e deportuar të enjten janë mbajtur në një qendër ndaluese në Assam të Indisë.

Mirëpo raportuesja speciale e Kombeve të Bashkuara për racizëm, Tendayi Achiume, ka thënë se India rrezikon shkeljen e obligimeve ligjore ndërkombëtare, duke kthyer burrat në territor ku mund të dëmtohen.

“Publikimi i identitetit etnik të burrave është mohim i të drejtës së tyre për t’u mbrojtur”, ka thënë ajo për agjencinë e lajmeve AFP.

Këto deportime janë cilësuar ndër të parat të këtij lloji, prej kur ka nisur dhuna ushtarake në Shtetin Rakhine më 2017.

Zyrtarët në Indi kanë thënë se edhe dy myslimanë Rohingya, janë dërguar në Mianmar në muajin gusht, mirëpo këto informacione nuk janë konfimuar nga zyrtarët.

Ndërkohë India vazhdon të ketë raporte të mira me zyrtarët ushtarakë të Mianmarit, pavarësisht presionit ndërkombëtar ndaj këtij zyrtarëve të këtij shteti.

XS
SM
MD
LG