Ndërlidhjet

Trump "nuk planifikon" të shkarkojë Rosensteinin


Donald Trump dhe Rod Rosenstein

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën se nuk planifikon të shkarkojë zëvendësprokurorin e përgjithshëm amerikan, Rod Rosenstein.

Rosenstein është zyrtari i Departamentit amerikan të Drejtësisë i ngarkuar me hetimin federal të ndërhyrjes së dyshuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

"Jo, nuk kam", tha Trump pasi u pyet nga gazetarët nëse ka plane për shkarkimin e zyrtarit numër 2 të Departamentit të Drejtësisë.

Ditë ma parë ka pasur spekulime se Trump mund ta shkarkojë Rosensteinin pas raporteve se ky i fundit ka vënë në pikëpyetje aftësitë e presidentit dhe ka dashur të regjistrojë biseda me të.

Muajin e kaluar, gazetat New York Times dhe Washington Post kanë raportuar se Rosenstein pritet të shkarkohet, pas publikimit të raporteve se ai ka diskutuar mënyra për largimin e Trumpit nga zyra, për shkak të "paaftësisë së tij".

Rosenstein ka luajtur rol të rëndësishëm në mbikëqyrjen e hetimeve që po bën këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, ndaj dyshimeve se fushata e Trumpit ka bashkëpunuar fshehurazi me Rusinë për t'i ndikuar zgjedhjet e vitit 2016.

Trump vazhdimisht i ka cilësuar hetimet si "gjueti shtrigash".

XS
SM
MD
LG