Ndërlidhjet

Apostolova: Shmangni "afatet artificiale" për liberalizimin e vizave


Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti ambasadorët e vendeve të Kuintit, përkatësisht SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, si dhe shefen e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, të cilët i falënderoi për, siç tha, "përkrahjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme për Kosovën në të gjitha proceset".

“Vendi ynë është në rrugën e duhur për marrjen e liberalizimit të vizave dhe lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe menaxhimi efektiv i migrimit duhet të jenë prioritare”, tha Haradinaj.

Në Prishtinë, të mërkurën u hap fushata që informon qytetarët me rregullat e udhëtimit pa viza.

Fushata është iniciativë e Ministrisë së Integrimit Evropian të Kosovës.

Përfaqësuesja e BE-së, Apostolova, rikujtoi se vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave nuk është marrë ende dhe tha se Kosova duhet t'i shmangë "afatet artificiale”.

Kryeministri Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, tha se nisja e fushatës së informimit i ndihmon qytetarët e Kosovës t'i kuptojnë obligimet që vijnë me, siç u shpreh, këtë të drejtë legjitime.

Në muajin korrik, Komisioni Evropian dha rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Parlamenti Evropian votoi po ashtu në favor të liberalizimit dhe sfida kryesore tani mbetet në Këshillin e Ministrave, ku ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së duhet t'i japin vlerësimet e tyre.

XS
SM
MD
LG