Ndërlidhjet

Rasti Khashoggi: Turqia do të bastisë konsullatën saudite


Jamal Khashoggi
Jamal Khashoggi

Zyrtarët turq që po hetojnë zhdukjen e gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, do të bastisin konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, njoftojnë mediat.

Zyrtarët turq besojnë se Khashoggi është vrarë në konsullatë nga agjentët sauditë, rreth dy javë më parë, por Riadi e mohon fuqishëm një gjë të tillë.

Presioni diplomatik mbi sauditët, për të dhënë më shumë shpjegime, po rritet.

Të hënën, mbreti Salman i Arabisë Saudite urdhëroi hetime të rastit.

"Mbreti urdhëroi prokurorin publik të hapë një hetim të brendshëm mbi çështjen Khashoggi, bazuar në informacionin e ekipit të përbashkët në Stamboll", tha një zyrtar i cituar nga agjencia e lajmeve Reuters.

Javën e kaluar, Turqia e pranoi propozimin saudit për të formuar një grup të përbashkët punues për të hetuar zhdukjen e Khashoggit.

Khashoggi, kritik i Qeverisë saudite, i cili ka shkruar për Washington Post, është parë për herë të fundit më 2 tetor, duke hyrë në konsullatën saudite në Stamboll.

Burimet turke pohojnë se ai është vrarë nga një ekip i agjentëve sauditë, por Riadi këmbëngul se ai është larguar nga konsullata në gjendje të mirë.

Lexoni edhe këtë: Turqia "ka regjistrime që dëshmojnë vrasjen e gazetarit saudit"

XS
SM
MD
LG