Ndërlidhjet

Mistura jep dorëheqje nga pozita e të dërguarit të OKB-së në Siri


I dërguari i OKB-së në Siri, Staffan de Mistura.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara në Siri, Staffan de Misuta ka thënë të mërkurën se do të dorëhiqet në fund të muajit nëntor nga kjo pozitë, duke përmendur arsyet personale, teksa Qeveria Siriane e mbështetur nga Irani dhe Rusia kanë fituar kontrollin e pjesës më të madhe të territorit dhe arritja e ndonjë marrëveshjeje politike mbetet ende e paqartë.

Pavarësisht hapave të presidentit sirian, Bashar al-Assad, de Mistura ka thënë se marrëveshja politike është ende zgjidhja e vetme “pasi alternativë e saj është vetëm zotërimi i tokave pa paqe”.

De Misura ka shërbyer më së gjati në këtë pozitë, të cilën e kanë mbajtur edhe dy diplomatë tjerë gjatë luftës civile shtatëvjeçare në Siri.

Paraardhësit e tij, ish-Sekretari i Përgjithshëm, Kofi Annan dhe diplomati algjerian, Lakhdar Brahimi kanë hequr dorë nga kjo pozitë, të zemëruar me qëndrimin global rreth dhënies fund të luftës.

Megjithatë pasaardhësi i Misturas do të përballet me një betejë të ashpër në arritjen e një pakti politik, të cilin Perëndimi e ka përmendur si të domosdoshëm për t’i hapur rrugë mbështetjes së rindërtimit të Sirisë, ashtu që miliona refugjatë të kthehen në shtëpitë e tyre nga Evropa dhe Lindja e Mesme.

Kur është pyetur nëse mbetet i shqetësuar që nuk ka mundur të realizojë një pikë kthese, de Mistura ka thënë se “një muaj mund të jetë një shekull në politikë. Unë gjithmonë kam qenë optimist”.

Diplomatët kanë përmendur disa emra që mund ta zëvendësojnë de Misturan, duke përshirë të dërguarin e OKB-së në Irak, Jan Kubis, ish-ministrin e Jashtëm algjerian, Ramtane Lamamra, apo dhe ambasadorin e Norvegjisë në Kinë, Geir Pedersen.

XS
SM
MD
LG