Ndërlidhjet

Kina hap një ndër urat më të gjata në botë


Pamje të urës së re të ndërtuar në Kinë.
Pamje të urës së re të ndërtuar në Kinë.

Kina ka hapur një prej urave më të gjata në botë që kalojnë përmes detit, pas gati 10 vjetësh prej kur kanë nisur punimet.

Presidenti kinez, Xi Jinping ka qenë pjesëmarrës në ceremoninë e hapjes që ka ndodhur në qytetin Zhuhai më 23 tetor.

Ura përfshin 55 kilometra, duke përfshirë qasje në rrugë, tunele dhe lidhë tri qytete bregdetare në jug të Kinës: Hong Kongun, Macaun dhe Zhuhain.

Kjo urë do të jetë e qasshme për trafik më 24 tetor.

Ura është projektuar për t’iu rezistuar tërmeteve dhe stuhive, andaj është ndërtuar duke përdorur 400,000 tonë çelik, mjaftueshëm për të ndërtuar 60 Kulla Eiffel.

Në kuadër të projektit të Urës përfshihet edhe një tunel nënujor në mes të dy ishujeve artificialë, çka lejon anijet të kalojnë përmes deltës së Lumit Pearl.

Ndërtimi i Urës është thënë të ketë arritur shifrën e 20 miliardë dollarëve.

Procesi i punimeve është përcjellë edhe me shqetësime për siguri, pasi të paktën 18 punëtorë kanë vdekur gjatë finalizimit të projektit dhe qindra tjerë janë lënduar.

Përveç tjerash, ambientalistët kanë thënë se projekti mund të ketë shkaktuar dëmtim serioz të jetës detare.

XS
SM
MD
LG