Ndërlidhjet

SHBA fut në listë të zezë nëntë persona për financim të terrorizmit


Sekretari i Departamentit të Thesarit, Steven Mnuchin.

Grupi prej shtatë shteteve që lufton financimin ndërkombëtar të terroristëve ka futur në listë të zezë nëntë persona që janë të lidhur me talibanët e Afganistanit, përfshirë këtu dy zyrtarë të ushtrisë iraniane dhe disa persona që akuzohen se “lehtësojnë mbështetjen iraniane të grupeve terroriste”.

Në njoftimin e Departamentit amerikan të Thesarit thuhet se ka futur këta persona në listën e zezë me qëllim që të “ekspozojë dhe të pengojë talibanët... dhe sponsorët e tyre iranianë që kërkojnë të minojnë sigurinë e qeverisë afgane”.

Në grupin që lufton financimin e terrorizmit përveç SHBA-së janë edhe Arabia Saudite, Bahrejni, Kuvajti, Omani, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin tha se në këtë listë janë vendosur “anëtarët talibanë të cilët janë të përfshirë në sulme vetëvrasëse dhe aktivitete të tjera vdekjeprurëse”.

“Ne gjithashtu kemi pasur për cak sponsorët kryesorë iranianë që u ofrojnë mbështetje financiare dhe materiale talibanëve. Mbështetja e Iranit për trajnime ushtarake, financim dhe furnizim me armë ndaj talibanëve është edhe një shembull tjetër i ndërhyrjes së hapur që bën Teherani për terrorizëm”, ka thënë Mnuchin përmes një deklarate për media.

Dy zyrtarët ushtarakë iranianë të futur në këtë listë janë të Gardës Revolucionare. Ata janë Muhammad Ebrahim Owhadi dhe Esmail Razavi.

XS
SM
MD
LG