Ndërlidhjet

Putin dhe Bolton diskutojnë mbajtjen e samitit të dytë SHBA-Rusi


Vladimir Putin dhe John Bolton

Presidenti rus, Vladimir Putin i ka thënë këshilltarit amerikan për siguri kombëtare, John Bolton se ai dëshiron të vazhdojë dialogun me presidentin Donald Trump.

Putin i bëri këto komente pas një takimi me Boltonin në Moskë, që zgjati 90 minuta, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut mes Rusisë dhe SHBA-së, pavarësisht dallimeve që kanë këto shtete.

Putini ka përmendur një takim të mundshëm me Trumpin më 11 nëntor, kur të dy liderët do të jenë në Paris për të marrë pjesë në shënimin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Presidenti rus ka shtuar se takimi me homologun e tij amerikan në Helsinki, më herët gjatë këtij viti, ka qenë shumë i dobishëm.

Bolton në anën tjetër ka thënë se Trump po ashtu dëshiron të takohet me Putinin në Paris.

“Mendoj se presidenti Trump do të mirëpres një takim në Paris, në margjinat e shënimit të 100-vjetorit të Armistikës”, u shpreh Bolton.

Vizita e Boltonit në Moskë vjen pasi Trump njoftoi se dëshiron që të tërhiqet nga Traktati për Armë Bërthamore e nënshkruar më 1987.

Putin i ka thënë Boltonit se ai dëshiron që të flasë me Trumpin për një sërë çështjes që lidhen me kontrollin e armëve dhe ka thënë se Rusia është habitur nga “veprimet e paprovokuara të Amerikës që vështirë se mund të quhen miqësore”.

Gjatë ditës, këshilltari Bolton po ashtu është takuar edhe me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, i cili ka thënë se dialogu dypalësh gradualisht po rikthehet pas samitit të mbajtur mes presidentëve të të dyja shteteve në Helsinki. Shoigu po ashtu ka theksuar se ka besim se “edhet hapat e vegjël do të bëjnë që raportet tona të përfitojnë”.

XS
SM
MD
LG