Ndërlidhjet

Trump sulmon "armiqësinë e mediave" pas lajmit për pakot shpërthyese


Presidenti amerikan, Donald Trump.
Presidenti amerikan, Donald Trump.

Presidenti amerikan, Donald Trump u ka bërë thirrje mediave “të ndalin armiqësinë e pafund” pasi disa pako me material shpërthyes janë nisur drejt adresave të figurave të larta politike.

Ai i ka bërë këto deklarata pasi pakot janë dërguar në zyrën e CNN-it në Nju Jork dhe demokratëve, Barack Obama dhe Hillary Clinton.

Asnjëra nga pakot nuk ka shpërthyer, mirëpo FBI-ja ka nisur kërkime për të kuptuar kush qëndron mbrapa dërgesave.

Kritikët e presidentit amerikan i kanë cilësuar deklaratat e fundit të Trumpit, hipokrike, meqë ai shumë shpesh shprehet me fjalor brutal kundër kundërshtarëve të tij dhe shtypit.

“Pajisje shpërthyese” u dërguan në adresë të Clintonit, Obamas dhe CNN-it

Duke folur të mërkurën në një tubim në Viskonsin, presidenti Trump është zotuar për zënien e kryesit të këtij akti, derisa u ka bërë thirrje mediave të ndalin “raportet dhe sulmet negative”.

Ndërkohë presidenti i rrjetit televiziv, CNN, Jeff Zucker ka kritikuar Trumpin dhe Sekretaren për media të Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders që sipas tij nuk kuptojnë që “fjalët vlejnë”.

“Ekziston një mungesë e plotë në Shtëpinë e Bardhë e të kuptuarit lidhur me seriozitetin e sulmeve të tyre të vazhdueshme në media”, ka thënë ai.

Edhe kryetari i Nju Jorkut, Bill de Blasio i ka cilësuar tentimet për sulme ndaj CNN-it dhe demokratëve si “akt të terrorit”.

XS
SM
MD
LG