Ndërlidhjet

Haradinaj kërkon mbështetjen e Gjermanisë për transformimin e FSK-së


Prishtinë, 29 tetor 2018.
Prishtinë, 29 tetor 2018.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim shefin e stafit të Forcave të Armatosura të Gjermanisë, gjeneralin Eberhard Zorn, me të cilin bisedoi për zhvillimet politike në Kosovë, përfshirë procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë në ushtri - gjë për të cilën kërkoi mbështetjen e shtetit gjerman.

“Kontributi i shtetit gjerman dhënë Kosovës në të gjitha etapat, e në veçanti në çështjen e sigurisë përmes trupave të KFOR-it gjerman, ka luajtur rol vendimtar në çlirimin dhe tani në krijimin e stabilitetit dhe të ambientit të sigurt për qytetarët e vendit. Andaj, në emër të qeverisë dhe popullit të Kosovës falënderoj secilin ushtar gjerman që ka dhënë kontributin e tij duke shërbyer në misionin paqeruajtës në Kosovë”, tha Haradinaj, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga zyra e tij.

Haradinaj tha po ashtu se mbështetja e Gjermanisë është e domosdoshme për Kosovën.

“Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë janë në nivel të shkëlqyer që nga kohërat më të vështira. Ndërsa, tani jemi duke punuar që ky bashkëpunim të jetë i frytshëm edhe në zhvillimin ekonomik dhe fusha tjera të interesit të përbashkët”, tha Haradinaj, duke marrë si shembull të mirë shndërrimin e kampit ushtarak gjerman në Park Inovativ dhe Trajnues në Prizren.

Në anën tjetër, gjenerali Zorn vlerësoi, siç tha, të arriturat e Kosovës në fushën e sigurisë dhe krijimit të një ambienti të qetë për qytetarët, duke konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të tij për Kosovën.

Në shenjë falënderimi, Haradinaj e nderoi gjeneralin Zorn me medaljen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

XS
SM
MD
LG