Ndërlidhjet

Lirohet nga burgu shoku i sulmuesit të Maratonës së Bostonit


Dias Kadyrbaev (në mes)

Një mik kazak i sulmuesit të Maratonës së Bostonit, Dzhokhar Tsarnaev, u lirua nga një burg në Shtetet e Bashkuara, pasi shërbeu dënimin prej më shumë se pesë vjetësh për pengim të drejtësisë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kazakistanit, Aibek Smadiyarov, u tha gazetarëve në Astana se Dias Kadyrbaev arriti në Kazakistan më 24 tetor.

Kadyrbaev dhe dy miq të tjerë të Tsarnaevit, Azamat Tazhayakov dhe Robel Kidane Phillipos, u dënuan në vitin 2015 për largimin e sendeve nga dhoma e tij e fjetjes në Universitetin e Masaçusets, Dartmouth, pas bombardimit të Maratonës së Bostonit, më 15 prill, 2013.

Tsarnaev dhe vëllai i tij i madh Tamerlan shpërthyen bomba në maratonë, duke vrarë tre njerëz dhe plagosur qindra të tjerë.

Tsarnaev, 25 vjeç, u dënua me vdekje në vitin 2015, por ai po kërkon gjykim të ri.

Tre shokët larguan nga dhoma kompjuterin e Tsarnaevit dhe një çantë të shpinës që mund të përdoreshin si dëshmi.

Tazhayakov, po ashtu nga Kazakistani, u dënua për pengim të drejtësisë me tre vjet e gjysmë në vitin 2015, pas arrestimit të tij më 2013.

Ai u kthye në Kazakistan pasi mbaroi burgun më 2016.

Phillipos u dënua me tre vjet burgim për mashtrim të hetuesve të FBI-së dhe u lirua në shkurt.

Tamerlan Tsarnaev dhe një oficer policie u vranë gjatë një operacioni policor pas sulmit në maratonë.

XS
SM
MD
LG