Ndërlidhjet

Rusia thotë se SHBA po shkakton "shqetësim të thellë global" 


Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Kremlini tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara po shkaktojnë "shqetësim të thellë global".

Zëdhënësi Dmitry Peskov i bëri këto komente dy javë pëpara një takimi të pritur midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe atij amerikan, Donald Trump, në Argjentinë.

"Fakti se Amerika është bërë e paparashikueshme së voni, nuk është sekret për askënd", tha Peskov për televizionin rus Dozhd.

"Një paparashikueshmëri e tillë nga vendi më i madh, ekonomia më e fuqishme në botë, është shqetësim i thellë global", tha ai.

Peskov nuk e kritikoi në mënyrë specifike Trumpin.

Zyrtarët rusë vazhdimisht thonë se Trump do marrëdhënie më të mira me Rusinë, porse atë e pengojnë kundërshtarët "rusofobikë" në SHBA.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë e kanë sanksionuar Rusinë për aneksimin e gadishullit ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

SHBA tha, ditë më parë, se po shqyrton sanksione të reja kundër Rusisë për helmimin e një ish-spiuni rus me agjent nervor në Sallsbëri të Anglisë.

Rusia e mohon përfshirjen në këtë sulm që ka ndodhur në mars të këtij viti.

XS
SM
MD
LG