Ndërlidhjet

Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskutoi për Kosovën


Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara diskutoi të mërkurën raportin e përfaqësuesit të posaçëm të sekretarit të përgjithshëm në Kosovë, Zahir Tanin.

Tanin theksoi nevojën që njerëzit në Kosovë të jenë plotësisht të angazhuar në ndërtimin e paqes afatgjate dhe të qëndrueshme.

Ai foli edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve, të shpalosur nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë si mundësi për zgjidhjen e problemeve midis dy vendeve, dhe tha se ky dimension i ri ka krijuar shqetësim, por edhe shtytje të re.

Duke folur për miratimin e ligjeve në Kuvendin e Kosovës për rritjen e fuqisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, Tanin kërkoi që kjo çështje të trajtohet me kujdes dhe në përputhje me kornizat relevante ligjore.

Kosova, në mbledhjen e së mërkurës, u përfaqësua nga ambasadorja në Uashington, Vlora Çitaku.

Ajo tha se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, duke përmbushur marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Sipas saj, Serbia ka dështuar në përmbushjen e marrëveshjes për energjinë dhe kjo i kushton Kosovës miliona euro.

Çitaku tha se vendimi për të formuar forcat e armatosura të Kosovës është "vendim sovran i Kosovës" dhe se me këtë veprim synohet të kontribuohet në sigurinë rajonale dhe globale.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, si përfaqësues i vendit të tij në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, tha se Serbia është e interesuar për arritjen e një kompromisi të pranueshëm në bisedimet Prishtinë-Beograd "në lidhje me statusin e Kosovës".

"Është e papranueshme që në momentet kur bëhet dialog për gjetjen e zgjidhjeve, merren vendime radikale dhe të njëanshme", tha Daçiq, duke folur për miratimin e ligjieve për Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Çitaku po ashtu tha se misioni paqeruajtës i OKB-së në Kosovë - UNMIK- nuk është më i nevojshëm dhe shtoi se do të ishte më e dobishme që burimet e kësaj organizate të shfrytëzohen për zgjidhjen e krizave të tjera nëpër botë.

"Kosova ka ndryshuar që nga viti 1999. UNMIK nuk është më një mision paqeruajtës, as nuk është një mision administrativ", tha Çitaku.

Komenteve të Çitakut u bëri jehonë edhe përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në OKB, i cili tha se UNMIK e ka kryer misionin dhe se ai duhet të mbyllet.

XS
SM
MD
LG