Ndërlidhjet

Lideri i Senatit i bllokon përpjekjet për mbrojtjen e Muellerit


Robert Mueller

Udhëheqësi republikan i Senatit të Shteteve të Bashkuara i bllokoi përpjekjet dypartiake për miratimin e një legjislacioni, që do të mbronte këshilltarin e posaçëm, Robert Mueller, i cili po heton lidhjet midis Rusisë dhe fushatës zgjedhore të presidentit Donald Trump.

Lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnell, tha se nuk e lejon votimin e legjislacionit, sepse nuk beson se është i nevojshëm.

Kjo, përkundër faktit se Trump e zëvendësoi javën e kaluar prokurorin e përgjithshëm, Jeff Sessions, me një ndihmës të tij që vazhdimisht i ka kritikuar hetimet e Muellerit.

“Nuk ka shenja se hetimi nuk do të lejohet të përfundojë”, tha McConnell.

Trump shpesh i ka cilësuar hetimet si “mashtrim” dhe “gjueti shtrigash” dhe ka thënë disa herë se ka autoritet për të shkarkuar Muellerin.

“Ne e dimë se si presidenti ndjehet sa u përket hetimeve, por ai kurrë nuk ka thënë se dëshiron t’i mbyllë ato. Mendoj se nuk ka rrezik, andaj mendoj se nuk ka nevojë për asnjë legjislacion”, tha McConnell.

Demokratët në Kongres, që kanë marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e javës së kaluar, kanë nxitur legjislacionin për të mbrojtur Muellerin nga shkarkimi.

Disa republikanë në Senat kanë lidhur aleancë me demokratët, duke kërkuar mbrojtje legjislative për Muellerin.

Senatori republikan, Jeff Flake, kritik i Trumpit që do të pensionohet në fund të vitit, e bashkësponsorizoi legjislacionin dhe iu bashkua demokratëve në përpjekjet e tyre për ta miratuar atë.

"Ky nuk është një moment për lidershipin tonë kombëtar që të jetë i dobët ose i pavendosur ose i komprometuar në asnjë mënyrë", tha Flake.

Ai tha se ligji ka mbështetje të mjaftueshme në Senat për të kaluar dhe se ai dhe sponsorët demokratë të tij do të përpiqen "përsëri dhe përsëri" për ta sjellë atë në votim.

XS
SM
MD
LG