Ndërlidhjet

Ministrat evropianë: Pakti për Brexitin nuk mund të rinegociohet


Flamuri i BE-së dhe Britanisë së Madhe.

Gjermania dhe shtetet tjera të Bashkimit Evropian i kanë thënë Britanisë të hënën se draft marrëveshja e tyre për Brexitin, nuk mund të rinegociohet, transmeton Rueters.

Kryeministrja britanike, Theresa May është duke u përballur me vëshirësi në Angli për të mbajtur gjallë paktin dhe për ta shtyrë në votim në Parlamentin Britanik, pavarësisht kritikave nga politikanët pro-Brexitit dhe përfaqësues të Irlandës Veriore që dëshirojnë ruajtjen e lidhjeve më të ngushta me BE-në.

“Nuk mund të arrihet pakt më i mirë se ky”, ka thënë ministri i Gjermanisë për Çështje Evropiane, Michael Roth.

Pas më shumë se dy vjetësh prej kur britanikët kanë votuar për t’u larguar nga BE-ja, të dyja palët janë pajtuar për një pakt fillestar dhe janë duke punuar në lidhjet e së ardhmes.

Pavarësisht pse fati i këtij pakti është i paqartë sa i përket palës britanike, BE-ja është duke bërë përgatitje për një samit të dielën e ardhshme lidhur me këtë çështje.

Një varg i liderëve kanë përsëritur deklaratat se megjithatë një pakt për Brexitin është më i mirë se ndonjë proces që mund të përfundojë pa marrëveshje në mes të BE-së dhe Britanisë.

“Secila marrëveshje është më e mirë në krahasim me Brexit pa pakt”, ka thënë ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn pasi ka arritur në Bruksel.

“Mendoj se është në interesin e Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Evropian që marërveshja të bëhet realitet”, ka shtuar ai.

Në referendumin e 23 qershorit më 2016, 17.4 milionë persona apo 51.9 për qind e votuesve kanë përkrahur largimin nga BE-ja derisa 16.1 milionë të tjerë apo 48.1 për qind të tjerë kanë votuar kundër Brexitit.

Britania pritet të largohet nga blloku evropian në mars të vitit 2019.

XS
SM
MD
LG