Ndërlidhjet

Veseli takohet me Mogherinin, bisedojnë për vizat dhe dialogun


Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar të martën në Bruksel, Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Veseli dhe Mogherini kanë diskutuar për gjendjen e përgjithshme në Kosovë, rrugën e integrimeve evropiane të Kosovës, me theks të veçantë zbatimin e Marrëveshjes për Stabilizim Asocim (MSA) dhe procesin e liberalizimit të vizave.

Gjatë këtij takimi, Veseli ka thënë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizim të vizave dhe tani pas rekomandimit pozitiv të Komisionit Evropian dhe votimit në Parlamentin Evropian, pret vendimmarrje pozitive brenda këtij viti nga ana e Këshillit të Ministrave të BE-së.

Si thuhet në një komunikatë për media, Veseli ka vlerësuar se anëtarësimi i Kosovës në BE është objektiv nacional i Kosovës dhe përbën konsensusin politik të të gjithë spektrit politik në Kosovë.

Veseli e ka falënderuar Mogherinin për përkrahjen e vazhdueshme që ajo i ka dhënë perspektivës evropiane të Kosovës, zhvillimit të demokracisë dhe forcimit të bashkëpunimit midis vendeve të rajonit.

Në këtë takim, Veseli ka konfirmuar “qëndrimin institucional të Kosovës për të zgjidhur me dialog çështjet e hapura me të gjithë fqinjët e saj, në mënyrë të veçantë me Serbinë, duke potencuar se dialogu midis dy shteteve do të përmbyllet me njohjen reciproke të tyre”.

Mogherini në anën tjetër, është thënë të ketë theksuar përkushtimin e Bashkimit Evropian për të mbështetur Kosovën në rrugën evropiane të saj, forcimin e kapaciteteve të brendshme dhe për të lehtësuar dialogun me fqinjët.

XS
SM
MD
LG