Ndërlidhjet

Afganistan: 20 persona të vrarë si pasojë e sulmit të talibanëve


Zyrtarë policorë në Afganistan.
Zyrtarë policorë në Afganistan.

Të paktën 20 zyrtarë policorë janë vrarë në Afganistan, pasi vetura e tyre është sulmuar në provicën perëndimore Farah, kanë thënë zyrtarët.

Zëdhënësi i policisë për këtë provincë, Muhebullah Muheb, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se shefi i ri i policisë së zonës, Lash-e Juwayn ka qenë në mesin e personave të vrarë në sulmin e 26 nëntorit.

Talibanët kanë thënë se janë përgjegjës për këtë sulm.

Ndërkohë, një zëdhënës i spitalit është cituar të ketë thënë se si pasojë e sulmit në këtë institucion janë dërguar rreth 22 trupa.

Vetura e policisë është përfshirë nga flakët pasi ishte nisur drejt zonës, Lash-e Juwayn për prezantimin e shefit të ri të policisë, ka thënë anëtari i këshillit të kësaj province, Abdul Samad Salehi.

Zëdhënësi i talibanëve, Qari Yousuf Ahmadi ka pretenduar se katër makina janë shkatërruar në sulm dhe një numër i madh i armëve janë konfiskuar.

Farah, është provincë e populluar në kufi me Iranin, zonë në të cilën talibanët kontrollojnë pjesë të mëdha të territorit.

Vetëm gjatë këtij muaji, nga sulmet e talibanëve në këtë provincë kanë vdekur më shumë se 100 zyrtarë policorë dhe ushtarë afganë.

Forcat e sigurisë afgane janë përballur me talibanët dhe grupe tjera militante prej tërheqjes së numrit më të madh të trupave të NATO-s nga ky shtet më 2014.

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani ka thënë gjatë këtij muaji se gati 29,000 policë dhe ushtarë afganë janë vrarë nga fillimi i vitit 2015, periudhë në të cilën autoritetet afgane kanë marrë përgjegjësinë për sigurinë e shtetit.

Gjatë po kësaj periudhe, ai ka thënë se janë vrarë edhe 58 amerikanë.

XS
SM
MD
LG