Ndërlidhjet

SHBA e paralajmëron Rusinë për "veprimet e jashtëligjshme" në Detin Azov


Ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley.

Shtetet e Bashkuara e paralajmëruan të hënën Rusinë se "veprimet e jashtëligjshme", të tilla si aneksimi i anijeve të Ukrainës në Detin Azov, janë duke penguar zhvillimin e marrëdhënieve normale midis Uashingtonit dhe Moskës.

Ambasadorja e SHBA-së, Nikki Haley, tha në një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se "SHBA-ja do të dëshironte marrëdhënie normale me Rusinë, porse veprimet e jashtëligjshme si këto vazhdojnë ta bëjnë këtë të pamundur".

Të dielën, Rusia aneksoi tri anije të Ukrainës, duke i akuzuar ato për hyrje të paligjshme në ujërat rusë në Detin Azov.

Konfrontimi në det shkaktoi frikë për një përballje më të gjerë ushtarake.

Haley e fajësoi Rusinë për përplasjen, duke e cilësuar konfiskimin e anijeve si "shkelje të egër të territorit sovran të Ukrainës".

Por, ajo nuk kërcënoi me sanksione të reja dhe bëri thirrje për shtensionim të situatës.

Haley tha se ky qëndrim u arrit pas bisedave me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe sekretarin e shtetit, Mike Pompeo, dhe se reflekton "shqetësimet në nivelin më të lartë të Qeverisë amerikane".

SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë ndërmarrë sanksione kundër Rusisë pasi Moska ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë në vitin 2014.

Rreth tensioneve të fundit, më shumë gjeni këtu.

XS
SM
MD
LG