Ndërlidhjet

Malmstrom i bën thirrje SHBA-së t'iu bashkohet bisedimeve për reforma të OBT-së


Komisionerja e BE-së për Tregti, Cecilia Malmstrom.

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Uashingtonit që të nisë bisedimet lidhur me mënyrat se si mund të reformohet Organizata Botërore e Tregtisë, ashtu që të parandalohet paralizimi i kësaj organizate ndërkombëtare.

BE-ja ka publikuar të hënën propozimet për reforma, për të cilat është arritur pajtueshmëri me Kinën, Indinë dhe shtetet tjera, duke shpresuar se do të tejkalohen kundërshtimet e shprehura nga presidenti amerikan, Donald Trump, të cilat kanë vënë në krizë këtë Organizatë.

Komisionerja e BE-së për Tregti, Cecilia Malmstrom ka thënë se blloku evropian dhe Japonia nuk kanë pasur sukses në prezantimin e kësaj teme në bisedimet tripalëshe me Shtetet e Bashkuara.

“Shumë shtete në botë janë duke përkrahur këtë. Kështu që ju lutem ejani, uluni dhe bisedoni me ne. Ata nuk e kanë bërë këtë më parë. Çfarë do të ndodhë? Kush e di”, ka thënë Malmstrom para gazetarëve në margjina të një konference për tregti në Bruksel.

Organizata Botërore e Tregtisë është duke tentuar të krijojë një plan për të realizuar reformat më të mëdha prej themelimit të saj, pasi presidenti amerikan, ka dërguar këtë trup para shkatërrimit duke bllokuar emërimin e anëtarëve të rinj dhe ka kërcënuar me tërheqje të SHBA-së nga Organizata.

Malmstrom ka thënë se shpreson që në Samitin e Grupit të 20 Shteteve më të Industrializuara (G20) që do të mbahet të premten në Argjentinë, do të ulen tensionet tregtare globale, meqë pjesë e takimit do të jetë presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping.

XS
SM
MD
LG