Ndërlidhjet

Foggo: Pakënaqësitë për taksën të zgjidhen përmes dialogut


James Foggo

Admirali amerikan, James Foggo, komandant i Komandës së Forcave të Bashkuara Aleate në Napoli, tha se e kupton frustrimin e qytetarëve serbë në veri të Kosovës, të cilët po protestojnë kundër vendosjes së tarifës 100% që u ka vënë Qeveria e Kosovës prodhimeve të Serbisë dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

“Unë sigurisht se e kuptoj frustrimin e njerëzve, të gjithë njerëzve që preken nga rritja e tarifave. Po ashtu e di se ka pasur disa protesta dhe në demokraci, në një shtet demokratik - dhe këtu po flasim për dy demokraci, po flasim për Kosovën dhe Serbinë - unë gjithmonë kam mbajtur qëndrimin se qytetarët që kanë autoritetin dhe përgjegjësinë për të votuar, kanë zë. Prandaj, ata edhe mund të protestojnë”, tha Foggo.

Megjithatë, ai theksoi nevojën që protestat të jenë paqësore dhe tha se këto pakënaqësi duhet të zgjidhen përmes dialogut.

“Nëse ka protesta, unë gjithmonë kam inkurajuar, në fakt, kam kërkuar që ato të jenë paqësore. Prandaj, nuk është e nevojshme që të thërrasim asnjë forcë policore, atë të EULEX-it ose KFOR-it. Unë parapëlqej që të zhvillohet një dialog, në mënyrë paqësore. Prandaj, keni të drejtë vote, prandaj keni të zgjedhur të popullit dhe ato tensione, ato frustrime duhet adresuar te të zgjedhurit, nëse është e nevojshme në të dy anët e kufirit”, tha Foggo.

Ai i bëri këto komente në një konferencë për media në Prishtinë, pas ceremonisë së ndërrimit të Komandës së KFOR-it nga Salvatore Couci te Lorenzo D’addario.

XS
SM
MD
LG