Ndërlidhjet

Opozita në Kosovë kërkon seancë të jashtëzakonshme për çështjen e vizave


Kuvendi i Kosovës.

Dy partitë më të mëdha opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë kërkuar mbajtje të një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, pas mospërfshirjes së çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën në agjendën e takimit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian.

LDK dhe Vetëvendosje kanë vlerësuar se “dështimet e koalicionit qeverisës, kulmuan me mosliberalizim të vizave”.

“Kjo situatë nuk mund të vazhdojë më tutje. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për normalitet dhe perspektivë të qartë. Tensionet e krijuara gjatë gjithë këtij mandati qeverisës e kanë pamundësuar debatin substancial në shoqërinë e Kosovës për arsim e shëndetësi më të mirë, për shërbime publike më efikase, për punësim dhe zhvillim ekonomik”, është thënë në komunikatën e Grupit Parlamentar të LDK-së.

Përveç kësaj, LDK dhe Vetëvendosje kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe gjithë kabinetit të tij qeveritar.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të vendosë nëse një seancë e tillë do të organizohet të martën apo në ditët në vijim.

XS
SM
MD
LG