Ndërlidhjet

Serbia jep "dezinformacione" për aeroportin e Prishtinës


Aeroporti Ndërkombëtar në Prishtinë

Aviacioni civil i Serbisë po i dezinformon transportuesit ajrorë se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është i mbyllur për trafik civil, tha për Radion Evropa e Lirë Driton Hyseni, menaxher i planifikimit të fluturimeve në aeroportin e Prishtinës.

Aviacioni Civil i Serbisë e dërgoi një e-mail të tillë të mërkurën në një kompani ajrore që planifikoi të fluturonte në Prishtinë.

Në email thuhej se leja e trafikut nuk mund të aktivizohet, pasi në aeroportin e Prishtinës lejohen vetëm fluturimet ushtarake, shtetërore ose humanitare, përmes lejes paraprake.

"Nuk është hera e parë që ndodh kjo. Edhe më herët ka ndodhur që aviacioni civil serb ka dhënë informacione të pasakta te operatorët ajrorë se Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës është i mbyllur për trafik civil".

"Kur kemi marrë informacione të tilla, i kemi marrë masat maksimale për t'i mohuar ato dhe për të informuar se aeroporti është i hapur, punon dhe se fluturimet zhvillohen pa probleme", tha Hyseni.

Nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës është thënë se të gjitha operimet ajrore në hapësirën ajrore të Kosovës zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi në Republikën e Kosovës.

“Autoriteti i Aviacionit Civil në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës në vazhdimësi kanë reaguar te NATO në lidhje me keqinformimet që autoritetet aeronautike të Republikës së Serbisë bëjnë për operatorët e huaj ajror që dëshirojnë të fluturojnë në Kosovë”, thuhet në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.

Në anën tjetër, Drejtoria e Aviacionit Civil të Serbisë thekson se “Aeroporti i Prishtinës është i mbyllur për komunikacionin ajror civil që nga 6 maji i vitit 1999”. Kjo gjendje, sipas autoriteteve serbe, për Republikën e Serbisë është ende në fuqi.

XS
SM
MD
LG