Ndërlidhjet

Franca dhe Gjermania zbusin kërkesat për pranimin e refugjatëve në BE


Ilustrim.

Franca dhe Gjermania kanë propozuar te enjten që qeveritë e Bashkimit Evropian që refuzojnë të pranojnë refugjatë mund të paguajnë për t’u përjashtuar nga sistemi i bllokut për shpërndarje të migrantëve.

Sipas një dokumenti që ka qarkulluar në mes të ministrave të Brendshëm të BE-së në Bruksel dhe është parë nga agjencia e lajmeve, Reuters, plani parasheh që pranimi i migrantëve të jetë sërish obligim për qeveritë e bllokut mirëpo përjashtime mund të bëhen nëse shtetet kanë “masa alternative të solidaritetit”.

Arritjet e migrantëve dhe refugjatëve nga Mesdheu janë nën 100,000 persona këtë vit sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, mirëpo fluksi i vitit 2015 ka gjetur bllokun të papërgatitur dhe ka shtyrë qeveritë jugore dhe lindore të BE-së kundër migrimit.

Në dokument është thënë se Bashkimit Evropian i duhet një mekanizëm i duhur për të anashkaluar situatën në të cilën të gjitha qeveritë e BE-së do të kenë mundësi për të paguar përgjegjësitë e pranimit të këtyre personave.

Presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani ka thënë në muajin tetor se më shumë para për zhvillimin e Afrikës mund të jenë kompromis i pranueshëm për vendet e Evropës Lindore, të cilat kanë refuzuar të pranojnë migrantë kryesisht nga shtetet myslimane.

Gjermania, Franca dhe Holanda kanë kërkuar më parë solidaritet nga të gjitha vendet e BE-së, mirëpo tani duket se për ata është më e përshtatshme skema e pagesës që ka qenë pjesë e disa propozimeve të Komisionit Evropian më 2015.

Mirëpo secila marrëveshje politike do të marrë kohë, edhe për faktin se kryeministri hungarez Viktor Orban dhe Qeveria italiane kanë ndërtuar imazhin e tyre politik në politika kundër migrantëve.

XS
SM
MD
LG