Ndërlidhjet

Prokuroria Speciale në Hagë fton për intervistim Rrustem Mustafën


Ilustrim.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rajonin e Llapit, Rrustem Mustafa është ftuar për intervistim nga zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, ka thënë avokati i tij, Aranit Koci përmes një njoftimi në Facebook.

Zoti Koci ka thënë se 'ftesa është për intervistim' dhe se zoti Mustafa 'do të paraqitet vullnetarisht dhe është i gatshëm të sqarojë çdo rrethanë të cilën Zyra e Prokurorit është duke e hetuar'.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Benett, ka thënë se kjo Zyrë nuk komenton spekulimet për aktakuzat dhe nuk ofron informacione për statusin e hetimeve.

Dhomat e Specializuara të Kosovës janë funksionalizuar plotësisht që nga 5 korriku i vitit 2017, kur ishte miratuar dokumenti për zhvillimin e procedurës penale, Rregullorja e Procedurave dhe Provave.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar punojnë për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave tjera penale, në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011.

Në atë raport është thënë që gjoja se krimet i kanë kryer pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë periudhës 1998 deri në vitin 2000.

Në Dhomat e Specializuara dhe në Prokurori punojnë 150 persona me prejardhje nga e gjithë bota. Gjykatësit, të cilët janë 20, vijnë nga 14 vende.

XS
SM
MD
LG