Ndërlidhjet

Rohani i cilëson sanksionet e SHBA-së “terrorizëm ekonomik”


Presidenti iranian, Hassan Rohani

Presidenti iranian, Hassan Rohani i ka cilësuar sanksionet e Shteteve të Bashkuara “terrorizëm ekonomik” dhe ka parashikuar se nëse ato arrijnë të dobësojnë Iranin, Perëndimi do të mbushet nga drogat ilegale,.

Rohani i bëri këto komente në Teheran sot, gjatë konferencës për luftimin e terrorizmit. Në këtë konferencë po marrin pjesë përfaqësuesit nga Afganistani, Irani, Pakistani, Turqia, Kina dhe Rusia.

Në fjalimin e tij, Rohani tha se një Iran i dobësuar do të ishte më pak në gjendje që të luftonte trafikimin e drogës.

Irani konsiderohet një rrugë e rëndësishme për trafikun e drogës që kalon nga Afganistani për në Evropë dhe në shtetet e Gjirit Persik.

“Sanksionet e paligjshme dhe jofer të Amerikës kundër shtetit tonë të ndershëm që kanë goditur vendin tonë, janë një shembull i qartë i terrorizmit”, u shpreh Rohani.

Ekonomia e Iranit po përballet me vështirësi pasi Uashingtoni rivendosi sanksionet. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore mes Teheranit dhe fuqive botërore dhe riktheu në fuqi sanksionet ekonomike.

XS
SM
MD
LG