Ndërlidhjet

Gottemoeller: Transformimi i FSK-së në ushtri mund të ketë pasoja për integrimin e Kosovës


Zëvendës sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller.
Zëvendës sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller.

Zëvendës-sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Rose Gottemoeller ka ripërsëritur qëndrimin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, duke thënë se transformimi i Forcave të Sigurisë së Kosovës në ushtri mund të ketë pasoja negative në integrimin e Kosovës në Aleancën Euro-Atlantike.

“Sot ne diskutuam për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe planin për transformimin e saj në ushtri. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, së fundmi në një bisedë me zotin Haradinaj ka nënvizuar se e sheh këtë lëvizje si kohë të keqe dhe mund të ketë pasoja negative në perspektivën e Kosovës në integrimin Euro – Atlantik. E përsëritëm që nëse mandati i FSK evoluon, NATO duhet ta rishqyrtojë nivelin e tij të angazhimit me FSK-në”, ka thënë ajo.

Rose Gottemoeller ka thënë gjthashtu se Stoltenberg ka biseduar me presidentin e Sebisë Aleksandër Vuçiq për nevojën “e deeskalimit të tensioneve aktuale dhe për të punuar për paqe dhe stabilitet në rajon”.

Zonja Gottemoeller ka thënë se NATO-ja mbështet dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian mes Prishtinës dhe Beogradit, duke shtuar se është e vetmja mënyrë për paqe dhe stablitet në rajon.

“NATO mbështet plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës. Mbetet e vetmja mënyrë për të sjellë paqe dhe stabilitet në rajon. Ne kërkojmë që Shqipëria të përdorë influencën e saj për të mbështetur procesin dhe të inkurajojë Prishtinën dhe Beogradin të qëndrojnë të qetë dhe të përmbajtur”, është shprehur ajo.

Këto deklarata Gottemoeller i ka bërë gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Shqipërisë për Punë të Jashtme dhe Europë, Ditmir Bushati.

Ajo është duke vizituar Tiranën, në prag të 10-vjetorit të hyrjes së Shqipërisë në Aleancën Euro – Atlantike.

XS
SM
MD
LG