Ndërlidhjet

Thaçi dekreton ligjet për transformimin e FSK-së 


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi duke dekretuar ligjet për FSK-në.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar të premten tri ligjet që përcaktojnë procedurat e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.

Në ditën e nënshkrimit të këtyre ligjeve, Thaçi ka uruar edhe një herë të gjithë pjesëtarët e FSK-së për këtë hap.

“Si President i Republikës së Kosovës dhe Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës, ju uroj juve, i nderuar komandant, gjithë ushtarët, oficerët, nënoficerët dhe popullin e Kosovës. I falënderoj mbështetësit ndërkombëtarë, SHBA-në dhe të gjitha shtetet e tjera aleate në këtë ditë të rëndësishme të zyrtarizimit të Ushtrisë së Kosovës”, ka thënë presidenti Thaçi.

* Videoja më poshtë fillimisht është postuar në profilin e presidentit Hashim Thaçi në Facebook

Tri projektligjet për FSK-në janë miratuar me shumicë votash nga Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor të këtij viti.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë treguar mbështetje të fuqishme në këtë proces, derisa NATO-ja ka shprehur skepticizëm duke konsideruar se transformimi i FSK-së po ndodh në një “periudhë të papërshtatshme”.

XS
SM
MD
LG