Ndërlidhjet

Trump dërgon trupa në Gabon


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka thënë se ka dërguar personel ushtarak në shtetin afrikan të Gabonit, pasi sipas tij, ata janë të nevojshëm për të mbrojtur qytetarët amerikanë dhe ndërtesat diplomatike në shtetin fqinj të Republikës Demokratike të Kongos.

Trump ka thënë se u ka dërguar një letër liderëve të Kongresit se 80 pjesëtarë të personelit ushtarak kanë arritur në Gabon më 2 janar, dhe trupa të tjerë do të dërgohen “nëse është e nevojshme”.

Personeli ushtarak amerikan “do të qëndrojë në rajon derisa situata e sigurisë në Republikën Demokratike të Kongos do të përmirësohet, aq sa prania e trupave nuk do të jetë e nevojshme”, thuhet në letrën e presidentit Trump, të cilën ua ka dërguar liderëve të Kongresit amerikan më 4 janar.

Pasi u shtynë tri herë, më 30 dhjetor në Kongo u mbajtën zgjedhjet ku pritet të zgjidhet pasardhësi i presidentit Joseph Kabila, i cili ka udhëhequr me këtë shtet për 18 vjet.

Zgjedhjet kaluan qetësisht, por komuniteti ndërkombëtar ka shprehur shqetësime për mashtrime zgjedhor dhe kanë paralajmëruar se mund të ketë dhunë, teksa rezultatet e zgjedhjeve pritet të bëhen publike më 6 janar.

Mbështetësit e opozitës kanë shprehur frikën se rezultati zgjedhor mund të manipulohet në favor të kandidatit të preferuar të Kabilas, ish-ministrit të Brendshëm të Kongos, Emmanuel Ramazani Shadary.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka mbajtur një mbledhje të mbyllur më 4 janar, ku ka diskutuar për këto zgjedhje.

Departamenti amerikan i Shtetit më 3 janar, përmes një deklarate, ka bërë thirrje që votat “të numërohen në mënyrë transparente ku të pranishëm të jenë edhe vëzhguesit, në mënyrë që rezultati zgjedhor të jetë i saktë”.

XS
SM
MD
LG