Ndërlidhjet

Rinisin protestat e studentëve në Shqipëri


Protestat e studentëve në Tiranë - foto arkivi

Studentët në Shqipëri u rikthyen në rrugët e kryeqytetit për të vazhduar protestat e tyre me kërkesa ekonomike dhe akademike.

Ata këmbëngulin që këto kërkesa, që përfshijnë ndryshimin në Ligjin për Arsim, përgjysmimin e tarifave, rregullimin e infrastrukturës së fakulteteve dhe ngritjen e cilësisë së arsimit, të përmbushen menjëherë nga ana e qeverisë.

Studentët, të hënën, po ashtu i gozhduan dyert e disa prej fakulteteve në Tiranë.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili vazhdimisht ka bërë thirrje për dialog, e kritikoi këtë veprim, duke thënë se mbyllja me dhunë e dyerve të këtyre fakulteteve është "fytyra kuptimplotë e pengmarrësve të protestës".

“Mbyllja me dhunë e dyerve të disa fakulteteve është fytyra kuptimplotë e pengmarrësve të një proteste shembullore, e cila tanimë ka hyrë në fazën e realizimit të kërkesave bazë dhe zhvillimit të një dialogu të brendshëm për nevojat specifike të çdo fushe studimesh”, shkroi Rama në Twitter.

Protesta njëmujore e studentëve është paqësore dhe ata vazhdimisht kanë theksuar se nuk duan që kjo protestë të ketë ngjyrime partiake.

Qeveria ka miratuar disa vendime dhe ka kërkuar dialog me studentët, por ata vazhdimisht kanë refuzuar të bisedojnë, duke thënë se këto kërkesa janë minimale dhe bazike për të drejtat e tyre për një arsimim cilësor.

Kryeministri Rama, para disa ditësh, ka shkarkuar ministren e Arsimit, Lindita Nikolla, bashkë me gjashtë ministra të tjerë në Qeverinë e Shqipërisë, duke i zëvendësuar ata me emra të rinj.

Lindita Nikolla është zëvendësuar nga Besa Shahini, e cila mbante postin e zëvendësministres.

Ky shkarkim i zonjës Nikolla erdhi pas më shumë se dy javësh protesta të pandërprera të studentëve të universiteteve publike të Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG