Ndërlidhjet

Tajlanda nuk e dëbon gruan "e kërcënuar" saudite


Rahaf Mohammed Al-Qunun
Rahaf Mohammed Al-Qunun

Shefi i policisë së migracionit në Tajlandë, Surachate Hakparn, tha se një gruaje saudite, e cila u largua nga familja e saj në fundjavë, do t'i lejohet hyrja e përkohshme në këtë vend.

Zyrtarët tajlandezë të migracionit u përpoqën të kthejnë Rahaf Mohammed Al-Qunun, 18 vjeçe, në Kuvajt, ku është familja e saj.

Ajo refuzoi të futet në një fluturim drejt Kuvajtit të hënën dhe e bllokoi veten në dhomën e saj të hotelit në Aeroportin e Bangkokut.

Al-Qunun tha se beson se familja e saj do ta vrasë nëse kthehet, sepse ajo ka hequr dorë nga Islami.

Autoritetet tajlandeze thanë se statusi i saj do të vlerësohet nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë.

"Vëllezërit, familja ime dhe ambasada e Arabisë Saudite do të më presin në Kuvajt. Jeta ime është në rrezik. Familja ime kërcënon të më vrasë për gjërat më të parëndësishme", tha Al-Qunun për agjencinë Reuters.

Al-Qunun arriti në Aeroportin Ndërkombëtar të Bangkokut me një fluturim nga Kuvajti.

Ajo udhëtoi në Tajlandë për një fluturim drejt Australisë, ku ka shpresuar të kërkojë azil.

Por, Al-Qunun tha se kur ka arritur në Bangkok të shtunën, pasaporta i është marrë nga një diplomat saudit që ka udhëtuar me të dhe se ajo nuk ka synuar të qëndrojë në Tajlandë.

Grupet e të drejtave të njeriut, përfshirë Human Rights Watch, shprehën shqetësim për Al-Qununin.

Ligji saudit u jep të afërmve meshkuj kujdestari ligjore mbi gratë, madje edhe nëse ato janë të rritura.

XS
SM
MD
LG