Ndërlidhjet

SHBA do të mbajë një samit me fokus Iranin


Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Shtetet e Bashkuara planifikojnë të mbajnë një samit global, muajin e ardhshëm, në Poloni, i cili do të përqendrohet në Lindjen e Mesme, në veçanti tek Irani.

Në një intervistë për Fox News, Pompeo tha se samiti i 13 dhe 14 shkurtit "do të fokusohet në paqen dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe lirinë dhe sigurinë në këtë rajon".

Ai tha se samiti do të mbledhë së bashku udhëheqës nga Azia, Afrika, Hemisfera Perëndimore, Evropa dhe Lindja e Mesme.

Vendimi u bë i ditur të premten, në ditën kur Pompeo arriti në Bahrejn.

Pompeo ndodhet në turne në Lindjen e Mesme, në përpjekje për të siguruar aleatët arabë se SHBA-ja nuk do ta braktisë rajonin, pavarësisht planit për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria.

Pompeo po bën thirrje për presion të shtuar kundër Iranit dhe kërkon unitet midis shteteve arabe që janë përfshirë në një mosmarrëveshje diplomatike me Katarin për më shumë se 18 muaj.

"Këto partneritete të Gjirit janë kritike për arritjen e objektivave të përbashkëta rajonale: mposhtjen e grupit militant Shteti Islamik, luftimin e terrorizmit radikal islamik, mbrojtjen e furnizimeve globale me energji dhe luftimin e agresionit iranian", tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Një zëdhënës i ushtrisë amerikane tha të premten se koalicioni ushtarak, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Siri, ka filluar procesin e tërheqjes së trupave nga ky vend.

SHBA e sheh Iranin si financues të terrorizmit global.

XS
SM
MD
LG