Ndërlidhjet

Protestuesit në Baku kërkojnë lirimin e të burgosurve politikë


Protesta në Baku.

Qytetarët po protestojnë në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Baku, duke kërkuar lirimin e një blogeri anti-korrupsion dhe disa personave të tjerë, të cilët ata po i konsiderojnë si të burgosur politikë.

Protestuesit po kërkojnë nga Qeveria e presidentit Ilham Aliyev lirimin e Mehman Huseynov dhe të burgosurve të tjerë politikë.

Thirrjet për lirimin e Huseynovit janë intensifikuar brenda dhe jashtë Azerbajxhanit, që prej se ndaj tij, muajin e kaluar, u ngrit edhe një akuzë e re – vetëm disa javë para lirimit të paraparë nga burgu.

Ai akuzohet për “rezistencë nga një përfaqësuesi të autoriteteve dhe përdorim të dhunës së rrezikshme për shëndetin dhe jetën (e përfaqësuesit)”.

Huseynov dhe disa të burgosur të tjerë politikë kanë hyrë në grevë urie në shenjë proteste.

Huseynov tashmë ka mbajtur dy vjet burgim për akuzat për shpifje dhe ai dhe mbështetësit e tij konsiderojnë se akuzat ndaj tij janë të motivuara politikisht.

Grupet për të drejtat e njeriut dhe qeveritë perëndimore, për vite me radhë i kanë bërë thirrje autoriteteve në Azerbajxhan që të lirojnë të burgosurit politikë dhe kanë akuzuar Qeverinë në Baku se fabrikon raste kriminale për të frenuar pakënaqësitë dhe lirinë e medias.

Aliev –që qeverisë me Azerbajxhanin që prej vdekjes së babait të tij më 2003 – ka hedhur poshtë këto kritika.

XS
SM
MD
LG