Ndërlidhjet

Stantërg: Nxirren nga miniera punëtorët e bllokuar


Shpërthimi në trafon elektrike në Trepçë

Xhevdet Tahiri, ushtrues detyre i drejtorit menaxhues të ndërmarrjes “Trepça”, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se të gjithë minatorët e ngujuar në minierën e kompleksit metalurgjik “Trepça”, në Stantërg, janë nxjerrë nga një thellësi prej 700 metrash.

"Gjendja e minatorëve është e mirë dhe nuk ka pasur nevojë për asnjë intervenim. Dalja e minatorëve u mundësua pasi Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike, ka mundësuar furnizimin alternativ me rrymë", tha Tahiri.

Pas një shpërthimi që kishte ndodhur në një trafo eklektike që furnizon minierën e kompleksit metalurgjik “Trepça”, në Stantërg, rreth 100 punëtorë ishin ngujuar për rreth dy orë.

Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku.

Djegien e trafos brenda objektit të “Trepçës” e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të Distribucionit për Furnizim me Energji Elektrike (KEDS), të cilët kanë treguar se kjo djegie ka shkaktuar ndërprerjen e energjisë elektrike në Mitrovicë.

Në një komunikatë për media thuhet se “KEDS ka dërguar menjëherë ekipet në vendin e ngjarjes, për ku është nisur edhe menaxhmenti nga Prishtina për t’u dal në ndihmë këtyre ndërmarrjeve që të tejkalohet sa më shpejtë kjo situatë”.

KEDS ka arritur të rikthejë energjinë elektrike për rreth 2/3 e konsumatorëve të Mitrovicës, duke e kaluar furnizimin nga linjat që vijnë nga Vushtrria, ndërsa nuk ka alternativë për konsumatorët që furnizohen nga “Trepça” dhe linja e KOSTT-it në Shupkofc, përkatësisht një pjesë e Mitrovicës dhe fshatrat afër, nga Mitrovica në drejtim të Vushtrrisë.

XS
SM
MD
LG