Ndërlidhjet

LDK–ja akuzon Qeverinë se po krijon situatë të rrezikshme në veri


Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, për siç ka thënë, mosveprim në veri të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha sot se Qeveria e Kosovës me mosveprimin e saj, po kontribuon në krijimin e rrethanave në veri të vendit, "të cilat i dëshirojnë kundërshtarët e shtetit të Kosovës që po angazhohen për copëtim të Kosovës".

Hoti në një postim në rrjetin social Facebook, theksoi se duke mos u marrë në mënyrë institucionale me situatën në veri, Qeveria, që udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj, po krijon situatë të rrezikshme në veri, në aspektin ligjor dhe kushtetues.

Çështja e dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, vazhdon të mbetet pezull dhe e pa definuar ligjërisht.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës patën theksuar se problemi qëndron te përdorimi i termit “Kosovë e Metohi”, në dorëheqjet e ofruara nga kryetarët e këtyre komunave dhe se kjo formë e dorëheqjes, sipas tyre, ka qenë jo e rregullt, me adresim jo të saktë dhe se mbetet çështje e diskutueshme.

Më 27 nëntor të vitit 2018, kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të vendit, kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për tarifën prej 100 për qind për produktet e importuara nga Serbia.

XS
SM
MD
LG