Ndërlidhjet

Policia e Kosovës konfiskon mbi 50kg narkotikë, arreston 3 persona


Policia e Kosovës
Policia e Kosovës

Policia e Kosovës njofton se sot ka arrestuar tre persona të dyshuar dhe ka konfiskuar më shumë se 50 kilogramë substancë të dyshuar narkotike.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Drejtorinë e Përgjitshme të Policisë në Prishtinë, njofton se operacioni është ndërmarrë pas një hetimi disa mujorë.

Aksioni i Policisë është zhvilluar në dy lokacione.

"Në rrugën Prishtinë – Gjilan (në fshatin Ponesh) Policia e Kosovës ka ndaluar automjetin Mercedes me targa shqiptare, që drejtohej nga i dyshuari (F. Th.), i cili ishte së bashku me të dyshuarin tjetër (Xh. H.), të dy meshkuj me shtetësi shqiptare dhe pas proceduarve të kontrollit në bagazhin e automjetit në fjalë është gjetur një sasi prej mbi 52 kg, sasi e dyshuar e substancës narkotike e llojit marihuanë" ,thuhet në njoftimin për media.

Po të enjten, sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 19:30, në Gjilan është arrestuar i dyshuari i tretë (L. M.) me shtetësi serbe, i cili dyshohet se kishte për ta pranuar substancën narkotike të lartëcekur.

Ndërkaq, pos lëndës narkotike, si prova materiale janë sekuestruar: Dy vetura, katër telefona celularë, dy mijë euro para kesh.

Me vendim të prokurorit kompetent të dyshuarit dërgohen në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore, bën të ditur Policia e Kosovës.

XS
SM
MD
LG