Ndërlidhjet

Vuçiq: Duhet t'i kuptojmë edhe interesat e shqiptarëve


Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor (majtas) dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Beograd, 28 janar 2019.
Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor (majtas) dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Beograd, 28 janar 2019.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se vendi i tij duhet t'i kuptojë edhe interesat e shqiptarëve dhe të bëjë përpjekje të arrijë marrëveshje kompromisi me Kosovën.

"E di se askush nuk dëshiron ta dëgjojë këtë fjali, por është thelbësore që t'i shohim edhe interesat e tjetrit dhe të bëjmë përpjekje të arrijmë kompromis", tha Vuçiq në një konferencë për media në Beograd me homologun slloven, Borut Pahor.

Vuçiq tha se në Davos, ku së voni ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka theksuar se kompromisi është fitore dhe jo humbje.

Ai po ashtu tha se druan se Serbia dhe Kosova janë ende larg marrëveshjes.

Vuçiq i bëri komentet pasi gazetarët e pyetën Pahorin se si e sheh zgjidhjen e mundshme të mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë dhe si e komenton ndryshimin e mundshëm të kufijve midis dy vendeve.

Pahor tha se procesi nuk mund të sjellë dëme kolaterale për vendet e tjera në rajon.

"Është një mendim shumë i guximshëm, nuk do ta refuzoja, por do të isha shumë, shumë i kujdesshëm në lidhje me të", tha Pahor.

Ideja për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë është shpalosur nga presidentët e të dyja vendeve si mundësi për zgjidhjen e problemeve midis tyre.

Këtë ide, disa e kanë mbështetur, të tjerë e kanë kundërshtuar.

XS
SM
MD
LG